
Shqipëria e 21-vjeçarëve ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet e këtij muaji, ndaj Andorrës dhe Sllovenisë, të vlefshme për kualifikueset e Europianit. Në konferencë para mediave ditën e sotme kanë dalë Fatmir Prengaj dhe Armando Dobra.
Prengaj u shpreh se skuadra është e përqendruar te ndeshja me Andorrën dhe shtoi më tej se objektiv është kualifikimi për në Europian.
"Si gjithmonë, Shqipëria synon fitoren dhe fokusimi është Andorra, duhet të marrim 3 pikëshin, pasi është shumë i nevojshëm për ne, më pas mendojmë për Slloveninë, që duhet të fitojmë edhe me këtë ekip, por jemi të fokusuar 100% te ndeshja e parë kundër Andorrës.
Kjo është ndeshja e parë që unë luaj kundër Andorrës dhe skuadra e njeh këtë ekip. Ka djem që janë që në grumbullimin e vjetshëm dhe e njohin dhe besoj se do të marrim maksimumin nga kjo ndeshje dhe ta fitojmë.
Objektivat e Shqipërisë U-21 janë që të kapim Europianin por duhet të bëjmë më të mirën tonë dhe çdo ndeshje ta marrim si të radhës dhe të fitojmë.
Te Laçi ndihem mirë, nuk jam aktivizuar shumë por pres që në vazhdim të aktivizohem edhe më shumë.”, u shpreh Prengaj.
Dobra në fjalët e tij tha se Shqipëria do të luajë vetëm për fitore në dy ndeshjet e radhës, pasi grupi sipas tij është shumë i mirë.
"Objektivat e skuadrës janë për të fituar të dyja ndeshjet. Kemi një skuadër të mirë dhe të fortë. Do të luajmë kundër Andorrës fillimisht dhe do të luajmë fort, për të marrë 3 pikët dhe pastaj të fitojmë edhe me Slloveninë. Kemi luajtur edhe më parë me Andorrën, i kemi mundur 3-0, janë skuadër e fortë dhe të qetë, është ndeshje e vështirë.
Objektivat tanë janë të dalim në vend të parë ose në vendin e dytë dhe të kualifikohemi në Europian. Humbjet ndodhin sepse nuk ka ekipe që nuk humbin, por ky është objektivi ynë, pasi kemi skuadër të mirë dhe mund t’ia dalim.
Jam shumë i gëzuar pasi kam bërë golin me ekipin e ri, kam shkuar të bëj gola dhe të tregoj se çfarë lojtari jam unë. E kam nisur mirë dhe shpresoj të bëj edhe më shumë gola me ekipin e ri.”, përfundoi Dobra.



