
Portieri i Belgjikës, Thibaut Courtois në deklaratën pas ndeshjes me Italinë në Ligën e Kombeve, nuk i ka kursyer akuzat për dy institucionet e rëndësishme të futbollit, FIFA-n dhe UEFA-n. Në fjalët e tij, Courtois u shpreh se këto dy institucione nuk mendojnë aspak për futbollistët, por mendojnë vetëm për xhepat e tyre.
“Ata nuk kujdesen për lojtarët, ata kujdesen vetëm për xhepat e tyre. Është gjë e keqe të mos flasësh për lojtarët. Dhe tani ju dëgjoni për një Kampionat Evropian dhe një Kupë Bote çdo vit. Kur do të pushojmë? Asnjëherë .
Liga e Kombeve? Kjo lojë është vetëm një lojë parash dhe ne duhet të jemi të sinqertë në lidhje me të. Ne e luajmë atë thjesht sepse për UEFA -n janë para shtesë.
Vitin tjetër ne kemi një Kupë Bote në nëntor, ne duhet të luajmë përsëri deri në fund të qershorit. Ne do të lëndohemi! Askush nuk kujdeset më për lojtarët. Tre javë pushime nuk janë të mjaftueshme që lojtarët të vazhdojnë për 12 muaj në nivelin më të lartë. Nëse nuk themi asgjë, do të jetë gjithmonë e njëjtë. Ne nuk jemi robotë”, u shpreh Courtois.



