
Trajneri Ardi Behari, bëri analizën e tij, para ndeshjes së kthimit, ku Partizani do të përballet me Bate Borisov, e cila transmetohet në MCN TV. Në emisionin “Skaneri Europian”, Behari deklaroi se zgjedhjet që trajneri ka bërë, janë më të mirat te Partizani, ndërsa shtoi se rezultati dhe loja e ndeshjes së parë, i japin të drejtë Zekiç. “Nuk ka ndryshime në formacion, sepse loja dhe rezultati i dhanë të drejtë trajnerit. Formacioni që ka bërë mirë në ndeshjen e parë, nuk ndryshohet në ndeshjen e dytë. Lojtarët këta janë. Në mungesë të Matondo, nuk mund ta heqësh Mehemti. Këto janë zgjedhjet më të mira te Partizani. Mba në fazën sulmuese, është pika e referimit te Partizani. Zekiç nuk kishte ku të ndërhynte. Nuk shfaqi ndonjë dobësi të madhe në ndeshjen e parë, nuk kishte pse të bënte ndryshime. Në mesfushë i vetmi ndërrim që mund të bëhet pa frikë, është Maguette. Në sulm është në dispozicion, Selmani, Mensah dhe Grezda, por nuk janë zgjedhje e parë. Mendoj se do të punojë shumë me distancat dhe dyfishimet, sidomos në krahun e majtë.”, deklaroi Behari.



