
Golat e Neymar dhe Firminho i kanë mjaftuar Brazilit për të kaluar në çerekfinalen e Kupës së Botës. Pas një pjese të parë pa gola, Neymar i dha Brazilit epërsinë vetëm pak minuta pasi dy skuadrat u rikthyen në fushë.
Ylli i PSG-së shfrytëzoi në maksimumin një top të hedhur rrafsh me tokën nga William dhe me portën e boshatisur e kishte të lehtë ta shtynte topin drejt rrjetës. Ndërkohë, kur u duk se gjithçka do të përfundonte me një rezultat minimal, Brazili dyfishon rezultatin në minutën e 88-të duke ndërprerë aty udhëtimin e Meksikës në këtë kampionat botëror. Ndërkohë, ndeshja e luajtur në orën 20:00 ka rezervuar më shumë emocione për tifozët. Belgjika ka përmbysur Japoninë në minutat e fundit duke siguruar kështu çerekfinalen.
Me pjesën e parë që nuk solli asnjë gol, fraksioni i dytë ishte vërtet një "buqetë" golash. Vetëm 3 minuta pas kthimit në fushë, aziatikët befasuan belgët, me Haraguchi që përfitoi nga një pasiguri në mbrojtje dhe me një diagonale të bukur mposhti Courtois, duke kaluar në avantazh të tijët.
Por vetëm pak çaste më pas, Inui dërgoi në "qiellin e shtatë" japonezët, duke lëshuar një silur nga hyrja e zonës, me sferën që u ndal vetëm nga rrjeta.
Pësimi i golit të dytë, detyroi Roberto Martinez të ndryshonte fytyrën e skuadrës, me spanjollin që aktivizoi Fellaini e Chadli, "karta" që rezultuan vërtet decizive.
Të dy të sapofuturit në lojë shënuan nga një gol duke përmbysur kështu rezultatin.
Belgjika gjen një rival vërtetë të denjë në çerekfinale pasi do të ketë përballë 5 herë kampionët e Botës, Brazilin që është i etur për t'i shkuar deri në fund këtij turneu.



