
Stafi teknik i Kombëtares U-17 ka zhvilluar seancën e parë stërvitore nga 4 të tilla të programuar për muajin gusht në kuadër të përgatitjeve për miqësoret ndaj Maqedonisë së Veriu dhe eliminatoret e Kampionatit Europian U-17.
Trajneri Ervin Bulku ka planifikuar që të zhvillojë katër seanca stërvitore, si edhe ndeshje testuese në datat 10, 17, 24 dhe 31 gusht, me lojtarë që aktivizohen në kampionatin shqiptar kryesisht, por edhe me futbollistë shqiptarë që luajnë jashtë vendit.
Për teknikun kuqezi, synimi i këtyre seancave është stërvitja me lojtarë që aktivizohen me klubet shqiptare, për të vëzhguar nga afër gjendjen e tyre dhe për të parë nëse kanë pasur rritje nga hera e fundit kur ekipi është grumbulluar.
Duke parë që një periudhë dymujore pa i ndjekur lojtarët për shkak se ka qenë një periudhë pushimi, hera e fundit që ne jemi mbledhur ka qenë ndeshja miqësore kundër Kosovës në Kukës dhe për këtë arsye organizuam këtë seancë stërvitore për të parë sa më mirë këtë grup-moshë dhe të shikojmë çfarë gjendje kanë për momentin. Të mos harrojmë se shumë shpejt do të kemi ndeshjet miqësore me Maqedoninë e Veriut dhe më pas ndeshjet zyrtare për eliminatoret e Europianit të moshës U-17.
Ekipi kombëtar U-17 po përgatitet për turneun zyrtar në Kroaci, ku do të marrë pjesë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë. Kuqezinjtë janë shortuar në të njëjtin grup me Kroacinë, Uellsin e Suedinë. Kombëtarja U-17 ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime e ndeshje miqësore, teksa ka zyrtarizuar edhe dy të tjera ndaj Maqedonisë së Veriut në muajin shtator.



