
Myrto Uzuni po kalon një moment shumë të mirë në Spanjë, aty ku luan me ekipin e Granada në La Liga 2.
Në ndeshjen e fundit, ndaj Villarreal B, sulmuesi shqiptar, ishte protagonisti absolut i ndeshjes, teksa shënoi të tre golat për ekipin e tij, në fitoren 3-0.
Uzuni zhbllokoi rezultatin që në minutën e parë të takimit, teksa shfrytëzoi më së miri një asist të Callejon, duke e dërguar topin fundin e rrjetës. Pak minuta më vonë, sulmuesi kuqezi realizoi golin e dytë nga pika e bardhë e penalltisë, duke e dërguar rezultatin në 2-0 brenda pak minutash për të tijët.
Por duket se Myrto Uzunit i kishin munguar golat dhe në minutën e 80-të të takimit ekzekutoi në mënyrë të saktë një tjetër penallti, duke vulosur shifrat në 3-0 për Granadën, me të tre golat që mbajnë emrin e shqiptarit.
Këto tre gola i shënohen në fletoren e këtij fillim sezonit Myrto Uzunit, i cili edhe në javën e parë të La Liga 2 arriti të gjejë portën kundërshtare dhe realizoi një gol. Tashmë, në dy javë të luajtura, Uzuni ka shënuar katër gola në total.



