
Gazetari i sportit, Edi Hajdini, në emisionin “SportZone” në MCN TV, u shpreh se ndeshja me Anglinë vjen në një moment të papërshtatshëm për Shqipërinë, për shkak të minutazhit të paktë që kanë lojtarët tanë. Më tej ai foli edhe për Ivan Balliun, duke thënë se nuk e beson Rejën kur thotë se lojtari ka probleme.
“Ndeshja me Anglinë ka ardhur në momentin më të papërshtatshëm për ne, nëse shikojmë formën e lojtarëve.
Vetëm Uzuni ka bërë mirë dhe Hysaj është aktovizuar, teksa të tjerët kanë shumë pak minuta. E shikoj në një moment aspak të përshtatshëm ndeshjen me Anglinë për Shqipërinë. Nuk besoj se edhe vetë Reja apo ambienti në Kombëtare, e mendojnë kualifikimin dhe vendin e dytë. Humbja me Poloninë duket se djeg shumë, nga ajo që kam dëgjuar në konferencë.
Nuk besoj për mungesën e Brojës, pasi Federata do e kishte bërë një njoftim. Për momentin nuk është lejuar, sepse do i nënshtrohet analizave më të detajuara. Të paktën ndaj Anglisë mendoj se do të jetë.
Trajneri duhet të ketë një bazë llogjike në atë që pretendon. Të kërkosh 3 pikë ndaj Anglisë jashtë, për mua është e pakonceptueshme.
Asnjë nga lojtarët tanë nuk ka luajtur në Wembley, do jetë plotë me tifozët. Edhe vetë futbollistët nuk e besojnë deklaratën e Rejës për fitore.
Handikapi i vetëm i trajnerit është mosha. Nëse shkojmë në kuotën e 18 pikëve, duhet të jemi të gjithë të kënaqur.
Duke parë edhe mungesat në mbrojtje, kampionati jonë ka alternativa. Imami ose Gurishta përshembull. Të thirreshin të paktën për ndeshjen me Andorrën. Mendoja se do merrte më shumë lojtarë nga kampionati.
Balliu është lojtari i vetëm nga Kombëtarka që aktivizohet në 5 ndeshje radhazi. Nëse Balliu do kishte problem siç thotë Reja, atëherë trajneri i Vallecano do e ruante. Nuk e besoj Rejën për atë që tha për Balliun”, u shpreh Hajdini.



