Christian Eriksen u rikthye në Milano ditën e djeshme, për herë të parë pas asaj që i ndodhi në Europian, ku gjatë ndeshjes Danimarkë-Finlandë, pësoi atak kardiak në fushë. Danezi zbarkoi ditën e djeshme në qendrën stërvitore të Interit, ku takoi shokët e tij të skuadrës, stafin teknik dhe drejtuesit zikaltër.
“Corriere dello Sport” ka zbuluar ditën e sotme edhe një bisedë interesante të lojtarit me shokët e skuadrës, ku shfaqet optimist dhe iu tregon se kur mund të rikthehet në fushat e blerta. “Do rikthehem në fushë për 4-5 muaj”, mësohet t’iu ketë thënë Eriksen lojtarëve të Interit.
Mesfushori është aktualisht në defribilator në zemër dhe në rast se gjithçka shkon mirë dhe ai mund të heqë atë, atëherë mund të luajë në Serie A, në të kundërt duhet të zgjedhë një kampionat tjetër, pasi në Itali nuk lejohet që lojtarët të luajnë me defribilator.



