
Romano Fenati tentoi t’ia ndalë motorin kundërshtarit të tij, Stefano Manzi, gjatë garës në Moto2 në San Marino të dielën, në kohën kur ky i fundit ishte me shpejtësi 225 kilometrash në orë.
Fenati e kishte bërë një veprim të tillë për ta tejkaluar bashkëkombësin e tij, Manzin, dhe për t’u ngritur një pozitë më lart në këtë garë. Megjithatë, për shkak të këtij veprimi, ai u diskualifikua nga gara dhe u shkarkua nga ekipi i tij, Marinelli Rivacold Snipers.
Fenati dhe Manzi ishin ndeshur edhe më parë gjatë kësaj gare, dhe ishin zënë me fjale mes vete. Megjithatë, kur ishin takuar përsëri Fenati ia kishte rrezikuar atij jetën duke tentuar t’i ndalojë motoçikletën.
Fillimisht, motoçikleta e Manzit u lëkund, mirëpo ai arriti ta marrë kontrollin përsëri dhe e vazhdoi garën deri në fund. Megjithatë, as ai e as Fenati nuk arritën të triumfojnë, pasi që Andrea Doziviosi e fitoi garën.
Motoçiklisti i MotoGP, Cal Crutchlow, ka kërkuar që Fenatit t’i ndalohet përgjithmonë pjesëmarrja në garat e ardhshme pas këtij incidenti.
Por sot, piloti i Ascolios, Romano Fenati ka dal hapur dhe ka kërkuar falje.
"Mendoj dhe i mendoj përsëri ato momente. Kam bërë një gjest të turpshëm. Nuk kam qenë njeri! Për mua sporti është gjithçka. Nuk jam si ai. Kush më njeh mirë e di këtë gjë. Dua t'i kërkoj falje të gjithëve. Tani do të kem kohë për të reflektuar", shkruan ai në letrën e hapur.



