
Sakrificat e drejtuesve të Bayern Munchen më në fund i kanë dhënë rezultatet . Bavarezët kanë arritur rinovimin me Kingsley Koman , lojtar që konsiderohet i pazëvëndësueshëm nga Julian Nagelsmann .
Gjermanët nuk janë dorëzuar asnjëherë duke i mbajtur të ndezura shpresat se do të siguronin qëndrimin e 25 vjeçarit në ‘’ Allianz Arena ‘’ dhe tashmë mund të rrinë të qetë sepse do ta kenë në dispozicion francezin deri në 30 qershorin e 2027-tës .
Historikisht rekordmenët e Gjermanisë janë shquar për besnikërinë ndaj elementëve të tyre dhe nuk kanë bërë përjashtim për yllin e sulmit i cili i ka dhënë fund zërave mbi një rikthim tek Juventusi apo një transferimi tek Barcelona.
Qëndrimi tek Bayern Munchen e ka një justifikim shumë llogjik që lidhet me fitimin e titujve dhe privilegjin e të qënit shumë i rëndësishëm për trainerin gjerman , aspekt i cili vlerësohet nga çdo lojtar me emër pavarësisht tundimeve që mund të kenë gjatë karrierës .
Transferimi nga Juventusi ia ka hapur horizontin Kingsley Koman dhe e ka ndihmuar të zgjerojë në një formë të paimagjinueshme protagonizmin dhe sukseset kolektive , ndër të cilët numëron 6 Bundesliga , tre Kupa, 5 Superkupa të Gjermanisë , një Champions League , një Botëror Klubesh dhe një Superkupë Europe .
Për një lojtar të këtij kalibri s’mund të bëhet gjë tjetër veçse të blindohet qëndrimi i tij sepse në të kundërt humbja do të ishte shumë e madhe sidomos për një klub që synon trofe në çdo sezon .



