
Kombëtarja shqiptare, kërkon të hedhë pas krahëve humbjen me Kilin dhe do të kërkojë fitoren në miqësoren e ardhshme, atë ndaj Suedisë.
Kuqezinjtë zhvilluan një seancë të lehtë stërvitore paraditen e së shtunës në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës, ndërsa në mesditë u nisën drejt Suedisë.
Me grupin u bashkua edhe Etrit Berisha. Pas dëmtimit të pësuar, gjendja e portierit kuqezi është më e mirë dhe do të monitorohet gjatë gjithë kohës nga stafi mjekësor.
Në seancën e sotme lojtarët që u aktivizuan titullarë me Kilin zhvilluan vetëm disa ushtrime fizike dhe pa top. Ndërsa futbollistët që nuk u aktivizuan apo hynë në fushë si zëvendësues bënë stërvitje më të ngarkuar dhe taktike.
Sfida Suedi-Shqipëri do të luhet më datë 25 mars në ora 19:00, në stadiumin “Friends Arena”.



