Alban Xhaferri, sponsori i Vllaznisë, thotë se me arritjen në finalen e Kupës skuadra ka mundur të lërë pas minikrizën që kishte para disa ndeshjesh. Në emisionin Skaner në MCNTV Xhaferri shton se skuadra është shumë e motivuar për t'i shkuar deri në fund edhe kampionatit, ndërsa thekson se asnjë skuadër nuk duhet nënvlersuar.
“Sot ka qenë një ditë e mrekullueshme sepse jemi afruar me objektivin që kemi. është diçka e bukur për qytetin sepse klëtë Vllazni po e shijojnë të gjithë. Besoj se ekipi është kthyer dhe do vazhdojmë edhe luftën për kampionat.
Ekipi është më i motivuar më shumë se asnjëherë tjetër. Unë mendoj se Vllaznia e ka kaluar atë krizën dhe jam besimplotë se ndeshje pas ndeshje duhet të marrim maksimumin. Duhet të bëjmë lojra të bukura dhe të arrijmë objektivat. Duhet të tregojmë se asgjë nuk ndodh rastësisht.
Ne në fillim kemi vendosur objektivat, që janë Kupat e Europës, por brenda kemi përfshirë edhe titullin. Në kampionat është plotësisht e mundur që të fitojmë. Humbja e Teutës kundër Skënderbeut tregon se asnjë skuadër nuk duhet nënvlerësuar, sidomos në fazën e katërt. Gara do jetë kush gabon më pak dhe shpresoj mos të gabojmë me këto skuadra,”-u shpreh Xhaferri.
Në fund ai refuzoi të konfirmoi trajnerin për sezonin e ardhshëm, duke u shprehur se është herët për të vendosur për diçka të tillë.



