Olsi Uku nuk është më trajner i Dinamos. Blutë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kanë njoftuar se trajneri kryeqytetas ka dhënë dorëheqjen, e cila është pranuar nga klubi. Uku e mori drejtimin e Dinamos në mes të sezonit, pas largimit të italianit, Francesco Moriero. Trajneri 32-vjeçar e arriti objektivin me kryeqytetasit, duke siguruar ngjitjen në Kategorinë Superiore 1 javë para fundit.
“Nëndetësja” luajti finalen e Kategorisë së Parë me Egnatian, ku rrogozhinasit triumfuan minimalisht. Pas kësaj ndeshje, Uku ka dhënë dorëheqjen, duke falënderuar klubin për mundësinë e dhënë. Kujtojmë se Dinamo nga sezoni tjetër do të luajë në elitën e futbollit shqiptar, pas plot 9 viteve mungesë.
"Futboll Klub Dinamo njofton se ka pranuar dorëheqjen e trajnerit Olsi Uku. Klubi është mirënjohës dhe falenderues për punën e realizuar, korrektësinë e treguar dhe vullnetin e madh për të arritur sëbashku objektivin madhor, rikthimin në Superiore.
Falenderime për Olsin dhe i urojmë suksese të mëtejshme në një karrierë të saponisur me shumë sukses" - shkruhet në komunikatën e Dinamos.



