Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, u shfaq shumë i lumtur pas fitores në derbi ndaj Tiranës, ku skuadra e tij triumfoi 2-1.
Pas ndeshjes, Demi deklaroi se të kuqtë e merituan fitoren, por shtoi se nuk duhet të bëhen euforikë.
Sipas tij, trajneri Prosineçki ishte në stadium për të parë ndeshjen, pasi janë miq mes tyre.
E merituam fitoren. Është një ndeshje radhe, nuk përbën ndonjë çudi të madhe. Është një festë për tifozët. Ne kemi pasur mungesa që në Europë, por stafi nuk është ankuar asnjëherë.
Kjo tregon që stafi im ka bërë një ekip të mirë dhe shpresoj që skuadra të jetë edhe më e fortë gjithë kohës. Të mos bëhemi euforikë me një ndeshje. Derbi është derbi, më shumë është një gëzim për tifozët.
Prosineçki është një mik i imi. Ka ardhur thjesht për të parë ndeshjen. Kemi qenë thjesht për qejf, bisedë. Trajnerin ju e patë sot, Arbër Abilaliaj e drejtoi shumë mirë. Kështu që ai është drejtor sportiv, por edhe trajner për momentin.



