Egnatia mbetet pa drejtor sportiv. Një lajm i papritur që është dhënë nga vetë Ndriçim Shtubina, i cili mbante këtë rol te rrogozhinasit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Shtubina njofton se nuk do të jetë më drejtor sportiv i Egnatias, ndërsa zbulon se i është propozuar një post tjetër, por ka marrë kohë për ta menduar.
POSTIMI I SHTUBINËS:
Përshëndetje të gjithë! Nga sot nuk jam më pjesë e drejtorit sportiv të Egnatias. Këtë gjë po e bëj për të mirë të klubit dhe për respektin që kam për presidentin që për mua nuk është vetëm president, por një vëlla. Nuk i harroj gjërat që ka bërë për mua, unë jam krenar për këtë skuadër me këta djem. Super lojtarë dhe super djem, falënderoj dhe Klejd Zenelin, ishte ndihmë shumë e madhe për mua.
I falënderoj të gjithë njerëzit që punojnë në këtë klub. Falënderoj dhe tifozët që më kanë mbështetur edhe kur isha në fushë, por edhe jashtë saj. S’kam asnjë dyshim, kjo skuadër do të shkojë në Europë. Ndoshta nuk do të largohem nga klubi. Presidenti më ka ofruar një post tjetër, por dua ta mendoj. Faleminderit të gjithëve. Ju uroj suksese me shpirt. Ju lutem mos më pyesni pse ka ndodhur kjo se nuk do t’iu kthej përgjigje.



