
Gazetari i sportit, Ervin Baku, në edicionin e lajmeve në MCN TV, komentoi ngjarjet e fundit në FSHF, ku u shtynë zgjedhjet. Sipas tij, zgjedhjet u shtynë pas një marrëveshje mes palëve, teksa tha se në dijeninë e tij janë tërhequr paditë civile.
“Gjithmonë kur ka zgjedhje, ka pasur shumë zhurmë. Këtë herë u futën në lojë edhe Gjykatat. Kam përshtypjen se shtyrja është pas një marrëveshje mes palëve. Në dijeninë time, janë tërhequr paditë civile, jo ato penale, asambleja do të zhvillohet. Është një marrëveshje mes palëve, e ndikuar nga UEFA. Grupi i ekspertëve kanë raportuar te UEFA dhe deri në një vendim të institucionit, është marrë ky vendim. Duke qenë se UEFA do ta mbajë larg sportin nga politika, është marrë kjo masë dhe një marrëveshje mes palëve. Është gjetur një gjuhë e ndërmjetme mes palëve.”
Në lidhje me raportin e UEFA-s, Baku deklaroi se nuk e di pse nuk ka mbërritur ende, por shtoi se ai do të vijë i plotë. Ai tha gjithashtu se ndoshta për shtyrja e zgjedhjeve në FSHF, mund të jetë pjesë edhe e një negociate mes presidentit të UEFA-s, Ceferin dhe kryeministrit Rama.
“Libohova na tha që raporti i ekspertëve të UEFA-s të mbërrijnë të hënën ose të martën dhe ende nuk ka mbërritur. Deri në pritje të një raporti përfundimtar, është gjetur kjo gjuhë e ndërmjetme. Nuk jam në dijeni pse nuk ka ardhur ende raporti nga ekspertët e UEFA-s. Mendoj se do të vijë i plotë dhe nesër nuk do të ketë zgjedhje.
Vetë Duka e thotë në deklaratën e tij, se vendimet gjyqësore duhet të respektohen. Unë mendoj që është pjesë e një negociate, që ndoshta ka filluar edhe mes kryeministrit Rama dhe Ceferinit. Që kur erdhi Ceferin në Tiranë, u fol për finalen e Conferenbce League, por me siguri u fol edhe për zgjedhjet.”



