Me eliminimin e Gjermanisë nga Europianit, mbyllet edhe epoka e Joachim Low në krye të kësaj kombëtareje. Në fakt trajneri e kishte zyrtarizuar largimin pas Europianit para disa muajve, por shpresonte që të paktën ta mbyllte me sukses, duke shkuar sa më larg.
Megjithatë aventura e gjermanëve është mbyllur që në fazën e 1/8-ve, teksa u eliminuan nga Anglia. Pas ndeshjes, trajneri Low është shfaqur i zhgënjyer, duke thënë se skuadra e tij duhet të shfrytëzonte rastet që kishte.
“Ky është një zhgënjim i madh për të gjithë ne. Shpresonim të arrinim shumë më tepër në këtë turne dhe besimi ishte shumë i madh në këtë ekip. Në ndeshje si këto është e domosdoshme t’i shfrytëzoni rastet që krijoni. Timo Werner dhe Thomas Muller për fat të keq nuk mund të shënonin në rastet që kishin, kështu që ndihem shumë keq që jemi jashtë Europianit”, tha tekniku gjerman pas ndeshjes.



