
Klubet në Arabinë Saudite janë bërë tendencë në merkato me kalimin e kohës.
Potenciali në aspektin ekonomik sigurisht është një avantazh shumë i madh dhe transferimet e bujshme e konfirmojnë këtë fakt.
Al Ahli është hedhur në sulm për Rodrigo de Paul, një element shumë i rëndësishëm tek Atletico Madridi.
Traineri dhe njëkohësisht bashkombasi Diego Simeone e vlerëson mesfushorin por gjithsesi nevoja e ‘’ Los Rojiblancos ‘’ për të përforcuar arkat mund t’ia hapë dyert e largimit nga ‘’ Wanda Metropolitano ‘’ gjatë verës.
Kryeqytetasit i kanë bërë paraprakisht llogaritë dhe do të kërkojnë minimalisht 40 milionë euro për ishi-n e Udinezes, i padiskutueshëm tek Argjentina e Lionel Scalonit.
29 vjeçari po zhvillon sezonin e tretë me ish fituesit e La Ligas por etapa në Europë mund të përfundojë në fundin e tij.
Shumë lojtarë cilësorë kanë preferuar aspektin ekonomik mbi atë cilësor në merkatot e fundit dhe s’përjashtohet që Rodrigo de Paul ti bashkohet listës.
Në të kaluarën edhe në Serinë A Juventusi dhe Roma treguan interes për ta rikthyer por lojtari nga Sarandi preferoi të qëndrojë tek spanjollët.
Në sezonin aktual Rodrigo de Paul numëron 1 gol dhe 5 asiste në 37 sfida por duhet ritheksuar se potenciali i ekipeve në Arabinë Saudite konsiderohet një kërcënim për ato të elitës europiane.



