
Teuta, është skuadra kampione në Shqipëri, për sezonin 2020-2021. Durrsakët kanë triumfuar me goleadë ndaj Apolonisë 6-1, duke siguruar kështu fitimin e kampionatit.
Skuadra e Martinit pas një sezoni të shkëlqyer të zhvilluar, e mbyll kampionatin në vendin e parë me 66 pikë, po aq sa Vllaznia e vendit të dytë, por kryesojnë për shkak të golavarazhit më të mirë. Ky është titulli i dytë në histori për Teutë, teksa i pari ishte fituar para 27 viteve.
Ndërkohë për sa i përket verdikteve të kampionatit, bien nga kategoria Apolonia dhe Bylisi, ndërsa Kastrioti shkon në “play out”, ku do të luajë me Tomorin. Partizani, Vllaznia dhe Laçi do të luajnë në Kupat e Europës, së bashku me Teutën kampione.
Ky i këtij sezoni, ka qenë kampionati më i luftuar në histori të futbollit shqiptar, kjo për shkak se ishin plot 4 skuadra, të cilat luftuan deri në ndeshjen e fundit për të marrë trofeun e kampionit. Ndeshjet e fundit të kampionatit nuk kishin surpriza, teksa Kastrioti mposhti 1-2 Kukësin, Partizani triumfoi 4-2 ndaj Bylisit dhe Tirana fitoi 3-1 ndaj Skënderbeut.



