
Largimi i Cristiano Ronaldos tek Manchester United ka rezultuar një shans i artë për sulmuesin Paulo Dybala për të rikuperuar versionin më të mirë . Argjentinasi kërkon të jetë përsëri protagonist tek Juventusi dhe rikthimi i Massimiliano Allegrit thekson se gjërat do të përmirësohen për ‘’ La Joyan ‘’. Sipas ‘ Calciomercatos ‘ drejtuesit e torinezëve kanë përveshur seriozisht mëngët në funksion të arritjes së këtij akordi sepse 27 vjeçari është shëndërruar përsëri në një referent në sulmin e bardhezinjve dhe traineri italian pret shumë nga ky lojtar .
Ish kampionët e Scudettos kërkojnë medoemos të sigurojnë një element përcaktues në metrat e fundit të fushës dhe sulmuesi nga Kordoba momentalisht është në një periudhë riadaptimi në skemat e Massimiliano Allegrit dhe do ti duhet pak kohë për të dhënë maksimumin . Juventinët kanë planifikuar të njëjtën pagë për sulmuesin e mirënjohur e cila është rreth 10 milionë euro në sezon kundrejt një kontrate deri në 2025-sën ose 2026-tën për të vulosur përfundimisht qëndrimin e Paulo Dybalas në ‘’ Allianz Stadium ‘’.
Megjithatë synimet e Juventusit nuk mbarojnë me kaq sepse janë fokusuar edhe tek situata e mbrojtësit hollandez Mathijs De Light i cili aktualisht është më i paguari tek Juventusi , me 12 milionë euro në vit.
Këto komponentë konsiderohen vital për skemat e Massimiliano Allegrit të cilin e presin sfida të vështira sepse do ti duhet të mposhtë dominimin e Interit në Scudetto si dhe dhënien e maksimumit në Uefa Champions League , kompeticion të cilin ‘’ Zonja e Vjetër ‘’ vijon ta tentojë prej vitesh por nuk ka arritur të shtojë trofeun e tretë në vitrinë .



