Hamburg nuk dëshironte që Klaus Gjasula të bashkohej me kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet e shtatorit. Kjo për shkak të kushteve të pandemisë dhe pragsezonit të ri, por pavarësisht kësaj, mesfushori kuqezi bëri atë që pritej, duke u vendosur nën urdhrat e Edi Reja-s.
Një vendim për të cilin ka folur edhe ish-kapiteni Mërgim Mavraj, që pak ditë më parë vendosi të tërhiqej nga Kombëtarja për shkak të moshës. Në një intervistë për gazetën ‘Bild’ mbrojtësi thotë se e kupton vendimin e Gjasulës, pasi të luash për kombëtaren është diçka e veçantë.
“Historia jonë ka qenë e mbushur me lufëtra dhe na dëmtuar mjaft edhe komunizmi. Ne nuk kemi jetuar kurrë pa patriotizmin tonë. Tani që skuadra kombëtare po bën gjëra pozitive pas disa sukseseve është një ndjenjë fantastike dhe e pabesueshme që të luajmë për vendin tonë”, thotë Mavraj.
Kombëtarja me 4 shtator do të luajë përballë Bjellorusisë në transfertë, ndërsa me 7 shtator kundër Lituanisë në ‘Air Albania’.



