
Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca u shfaq i lumtur për fitoren ndaj Monza-s, në trofeun “Berlusconi”.
Fonseca deklaroi se skuadra tregoi gjëra pozitive, ndërsa theksoi se ka ende vend për përmirësim.
Fituam dhe ishte bukur. Skuadra më në fund është e plotë dhe unë mund të bëj zgjedhjet e mia. Nga e shtuna çdo ndeshje do të vlejë më shumë, por unë jam optimist. Skuadra ka treguar gjëra të mira, ka shprehur lojën e saj me idetë e mija, megjithatë ka ende vend për përmirësime.
Në disa situata mund të kishim qenë më të qetë për të bërë zgjedhjen e duhur, por nuk duhet harruar se luajtëm me dy skuadra të ndryshme. Megjithatë në përgjithësi bëmë lojën që duhej. E qartë që forma nuk është ende maksimale pavarësisht se jemi më shumë se një muaj që përgatitemi. Sidoqoftë, jam i kënaqur sepse lojtarët mundohen të zbatojnë atë që u kërkoj.



