
Trajneri Nevil Dede, deklaroi se Laçi-Tirana ishte një ndeshje pa histori. Duke folur për triumfin e bardhebluve, Dede tha se ishte një fitore me diferencë me kundërshtarin.
Ne emisionin “Skaner” në MCN TV, Dede tha se entuziazmi, dëshira dhe motivimi bënin diferencën te Tirana.
Mu duk një ndeshje pa histori. Ishte gati numër i barabartë tifozësh në stadium. Përcillnin entuziazëm dhe kishte karikim ndryshe kjo ndeshje. Dëshira e lojtarëve shihej te Tirana. Bardheblutë janë kthyer në një skuadër shumë pragmatiste.
Nuk e di sa Laçi ia doli të lexojë apo përballojë Tiranën. Laçi kishte aksione, por në çdo moment të ndeshjes, shikoja gjashtë lojtarë të kurbinasve që nuk e mbështesnin sulmin e tyre. Me katër lojtarë në sulm, kur Tirana i ka marrë masat, nuk i vë dot në vështirësi.
Tirana kontrolloi edhe ritmin edhe mënyrën si do zhvillohej kjo ndeshje. Tirana e fitoi ndeshjen me diferencë me Laçin. Entuziazmi, dëshira dhe motivimi bënin diferencë të madhe.



