Shqipëria U-21 do të përballet ditën e nesërme ndaj Çekisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Europianit të vitit të ardhshëm. Në konferencën për shtyp, trajneri i kuqezinjve, Alban Bushi tha se nuk do të ishte i lumtur me një barazim, duke thënë se skuadra e tij do të futet në fushë vetëm me një qëllim, për të marrë fitoren.
Sipas Bushit, objektivi i Shpresave është të furnizojë ekipin A me sa më shumë lojtarë, ndërsa shton se vetë futbollistët kanë objektiv Europianin.
Në përgjithësi jemi shumë mirë. Jam shumë i kënaqur nga i gjithë grupi, fizikisht janë shumë mirë, pavarësisht mungesave që kanë ikur në ekipin e parë që na i kanë prishur pak ekuilibrat, por jemi munduar që ta miksojmë pak grupin edhe për ditëlindjet për sezonin tjetër 2002, 2003, 2004. Në përgjithësi skuadra është mirë, sidomos ditën e djeshme ka qenë një stërvitje shumë e mirë dhe më kanë bërë shumë optimist.
U bëra disa vite në drejtimin e skuadrës U-21 dhe kemi pasur probleme gjithmonë. Ne jemi një vend i vogël dhe objektivat nuk janë madhor për U-21. Pra, objektivi ynë është personal, lojtarët duan të kualifikohen në Europian, por si objektiv madhor ne kemi ekipin A. Kemi çuar shumë lojtarë në ekipin A si asnjëherë më parë, Shqipëria ka 80% të ekipit me lojtarë që i kanë ardhur nga moshat.
Nuk do isha i kënaqur me barazim ndaj Çekisë. Pa dyshim që do jetë një ndeshje e fortë, një ndeshje me emocion, e luftuar nga të dyja ekipet për ta fituar. Ne jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje. E vlerësojmë shumë ekipin çek, është një ekip që thuajse çdo sezon merr pjesë në Kampionatin për moshat u-21. Kemi luajtur më parë me ta në Çeki, na kanë mundur thellë, për gabime individuale, që tek unë i pari, te futbollisti i fundit. Gjithsesi kemi mësuar, jemi përmirësuar dhe shpresojmë t’i bëjmë yzmetin deri në fund, të luftojmë shumë, të sakrifikojmë shumë dhe me ndihmën e tifozëve, shpresoj se do të arrij një rezultat pozitiv. Kam shumë besim tek ekipi, jam dhe shumë optimist. I kemi marrë të gjitha masat, e di edhe se ku do ta sulmojmë kundërshtarin, ku i kanë defektet. E di edhe se ku nuk duhet të përballemi me ta, ku ata janë të fortë dhe shpresoj që të bëhet një ndeshje shumë e bukur nesër.



