
Trajneri i Partizanit, Orges Shehi, foli për mediat, në prag të sfidës së nesërme, ndaj Kukësit në kampionat.
Shehi deklaroi se vlerësimi është maksimal dhe do të luhet vetëm për fitore.
Është e vërtetë që s’kemi marrë ato rezultate që donim, përsa i përket mungesave nuk dua ti përmend fare sepse s’dua ti përmend si alibi. Sigurisht mungesat janë prezente kudo edhe pse ndonjëherë janë lojtarë të rëndësishëm. Jemi koshientë që s’kemi marrë ato që donim, por duam të shohim përpara dhe të rritemi, të kërkojmë përmirësimin. Duhet të lemë pas krahëve dhe të përqendrohemi tek e nesërmja.
Kukësi, është i njëjti kundërshtar, por në dy kompeticione të ndryshme. Kupa ka specifikë tjetër, por që të shkojmë deri te ndeshja e Kupës, ne duhet të fokusohemi tek kampionati. Kukësin duhet ta vlerësojmë jo nga pozicioni që ka, por nga ajo që vlen tre pikë. Duhet të marrim 3 pikët dhe më pas të mendojmë për Kupën.
Ndeshjet e ardhshme duan vlerësim maksimal. Në futboll ka skuadra të lehta në letër, por bëhen shumë të vështira në fushë. Duhet t’i trajtojmë me qëllimin që po luajmë me skuadra pretendente pas një rezultati jo të mirë që regjistruam javën e kaluar.
Shehi foli edhe për aventurën e re te Partizanit dhe vështirësitë në këtë fillim, ndërsa tregoi edhe mungesat për përballjen e nesërme.
Aventura në çdo klub që shkon nuk është e lehtë, sepse duhet të njohësh karakteret e lojtarëve, ndryshimi i sistemit dhe mënyrën e të luajturit ka vështirësitë e veta. E filluam mirë dhe faza përgatitore shkoi mirë, disa detaje na kanë ndikuar në ndeshjet që s’kemi fituar. Çdo trajner ku shkon ka vështirësitë e veta, kjo është e pashmangshme, janë të pranishme kudo atje ku shkojnë për herë të parë në mes të një sezoni. E rëndësishme është që lojtarët kanë dëshirën dhe janë të fortë. Objektivi ynë i vetëm dhe primar është ndeshja e nesërme.
Për ndeshjen me Kukësin na rikthehen Cara dhe Maguette. Për fat të keq nuk kemi të disponueshëm Mensah i cili la fushën shumë shpejt në ndeshjen me Skënderbeun. Keko prej 3 ditësh ka filluar stërvitjen, por i duhet kohë pasi ka qenë jashtë ekipit që prej fillimit të janarit . Pjesa tjetër e skuadrës është në gjendje të mirë. Bintsuka gradualisht po merr minuta dhe shpresojmë që të kthehet edhe ai sa më shpejt në gjendjen e tij më të mirë.



