Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi në emisionin “Skaner” në MCN TV, u shpreh se objektivi i skuadrës shkodrane është titulli dhe këtë ia ka bërë të qartë edhe lojtarëve. Xhaferi bërri të ditur se procedurat për privatizimin e klubit janë mbyllur. Gjithashtu ai u shpreh se te Vllaznia nuk do të ketë më probleme me rrogat.
“Mund të kishim bërë edhe më mirë, por kampionati për Vllazninë deri tani ëhstë në kushte të mira. Jemi të kënaqur deri diku me performancën e skuadrës. Ne duam më të mirën, nëse do kishim më shumë pikë, do ishim akoma më shumë të kënaqur. Mendoj se është vetëm fillimi. Ka shumë ndeshje përpara, ka shumë sfida. Nuk mund të themi se jemi në formën tonë maksimale. VAR është diçka e re për ne dhe ndonjëherë kemi ato kontestimet tona.
Ne kemi një vit e pak, që Vllaznia është rikthyer në rrugën e suksesit. Vllaznia e riktheu besimin e tifozëve. Procesi i privatizimit ka përfunduar tani. Është përfunduar edhe marrëveshja e kompanive të mia me Vllazninë për dorëzimin e aksioneve. Si procedurë ka përfunduar. E kam mbështetur projektin në disa plane, për të rikthyer Vllazninë te suksesi.
Vitin e kaluar ishte pak e vështirë që në fillim të flisnim për titull, por tani kemi të bëjmë me një situatë tjetër, Vllaznia e tregoi me lojëra të bukura. Në përgatitje ia kam bërë të ditur se skuadra do të duhet të luajë për titullin kampion dhe Kupën. Objektivi minimal është Europa dhe maksimali është titulli kampion. Futbolli ka të papritura dhe nuk i dihet.
Trajneri? Është një pyetje e vështirë. Futbolli është dinamik, njësia matëse janë rezultatet. Trajneri ka besimin e plotë. Ne bashkëpunojmë të gjithë dhe mundohemi të gjejmë defektet.
Menjëherë pasi përfunduan procedurat, ne arritëm të bënim likuidimin e rrogave të lojtarëve. Janë paguar të gjitha detyrimet deri në muajin gusht. Çështja e rrogave do të jetë e zgjidhur te Vllaznia. Do mundohemi të jemi korrektë dhe të zbatojmë kontratat.”, u shpreh Xhaferi.



