Gazetari i sportit, Klaudio Ndreca, në emisionin “SportZone” në MCN TV, ka analizuar fazën e parë të Abissnet Superiore. Në fjalët e tij, Ndreca u shpreh se surpriza më e bukur e kësaj faze ka qenë Egnatia. Ai u shpreh gjithashtu se Tirana dhe Kukësi po bëjnë shumë mirë, duke shtuar se për shkak të formës së shkëlqyer të bardhebluve, nuk po vihet në plan dështimi i Ngo.
“Është mbyllur një fazë e një kampionati, që është më i fortë se i sezonit të kaluar. Surpriza më e bukur e kësaj faze të partë është Egnatia, një ekip që u mendua për mbijetesë, por ka bërë shumë mirë. Edhe Kukësi ka marrë lojtarë të panjohur dhe ka bërë shumë mirë. Tirana ka bërë një merkato të zgjuar. Mbajti shumë prej futbollistëve të cilët ishin protagonistë në sezonin e kaluar. Kanë bërë edhe afrime cilësore. Ngo është transferimi më i dështuar tani dhe nuk është kryqëzuar, sepse te Tirana punët po shkojnë shumë. Ngo është një lojtar që ndryshon shumë nga ai i sezonit të titullit. Jemi marrë shumë pak me Ngo, për atë që ka treguar, për shkak të asaj që po bën mirë Tirana. Sezoni i fundit na tregoi se gara do të jetë deri në fund. Duhet të presim deri në fund për të parë si do shkojë kampionati. Tirana është skuadra më e mirë e këtij kampionati, së bashku edhe me Kukësin.”, tha fillimisht Ndreca.
Ky i fundit theksoi më tej, se pankina e Shkëmbit te Dinamo është duke u lëkundur dhe rrezikon shkarkimin. Për VAR, Ndreca tha se edhe aty merren vendimet nga njerëz, kështu që gabimet do të jenë prezentë.
“Pankina më e lëkundur është te Dinamo. Nuk po shkon asgjë mirë aty. Për mendimin tim, Dinamo ka sulmues si Chinedu, që ngjason me Ekuban, por nuk po merr pasime dhe nuk po shfrytëzohet. Janë disa lojtarë që nuk po u merret maksimumi. Dinamo e nisi për titull dhe e shikon ku ndodhet. Egnatia diskutoi në fillim për mbijetesën dhe tani është shumë mirë. Ndeshja e radhës do të jetë vendimtare për të ardhmen e Shkëmbit.
Edhe te Partizani nuk po shkojnë gjërat shumë mirë. Herën e fundit pamë tifozët që nuk i donin lojtarët, si dhe u përplasën me drejtorin Olsi Rama. Teuta është njësoj si sezonin e kaluar, teksa kanë vetëm 1 pikë më pak. Te Teuta ka pasur ndryshime, që nuk janë të vogla. Ka pasur probleme në mbrojtje këtë fazë. Edhe dy qendërmbrojtësit, kanë cilësi, por duan kohën e tyre për të dhënë më të mirën. Pjesa më delikate është sulmi te Teuta. Në ndryshim nga sezonet e kaluara, këtë sezon trajnerët po qëndrojnë më shumë.
Gjykimi? Nuk duhet të harrojmë që edhe te VAR, vendimet merren nga njerëzit. Mund të kemi gabime edhe në VAR, janë humane. Skënderbeu ka minus disa pikë për shkak të gabimeve, por nuk e shikoj të qëllimshme.”, u shpreh Ndreca.



