Mesfushori ganez, Reuben Acquah rikthehet sërish në Kategorinë Superiore. 24-vjeçari i cili në sezonin 2016-2017 ishte pjesë e Tiranës, në sezonin e ri do të luajë për Teutën.
Klubi durrsak nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare, bën të ditur se ka arritur marrëveshjen me futbollistin dhe ditën e sotme palët kanë firmosur marrëveshjen.
Në sezonin e fundit, Acquah ishte pjesë e Lokomotivës së Zagrebit në Kroaci, kontrata me të cilët i përfundoi më 30 qershor dhe nga ajo kohë ishte një futbollist i lirë.
“Teuta me kënaqësi komunikon marrëveshjen me futbollistin, Reuben Acquah. Drejtuesit e klubit dhe mesfushori kanë gjetur akordin për bashkëpunim, lojtari është prezantuar në ambientet e stadiumit “Niko Dovana” dhe tashmë është pjesë e bluve. Acquah, mesfushori me shtetësi (ganeze) do të jetë pjesë e bluve pas eksperiencës tek disa ekipe si, Ried, Lask apo Lokomotiva Zagreb. KF Teuta ka gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarin, me marrëveshjen që u finalizua ditët e sotme.”, shkruan klubi durrsak.



