
Trajneri Mirel Josa ka debutuar me fitore në stolin e skuadrës së Laçit, pasi skuadra e tij ka mposhtur sot Skënderbeun me shifrat 2-0, në shtëpi, në ndeshjen e vlefshme për javën e 7-të në Abissnet Superiore.
Ishte Saliou Guindo, i cili me dy golat i tij i dha 3 pikët skuadrës kurbinase. Sulmuesi nga Mali shënoi fillimisht në minutën e 40-të me penallti të fituar nga Regi Lushkja, ndërsa dyfishoi shifrat në minutën e 65-të, pas një topi të marrë nga Deliu.
Kjo është fitorja e dytë radhazi për Laçin, që lë pas krahëve krizën e javëve të para dhe tashmë shkon në kuotën e 8 pikëve në vendin e 7-të. Në krahun tjetër Skënderbeu vazhdon të zhgënjejë, pasi kjo është humbja e tretë radhazi dhe mbajnë vendin e fundit në renditje me vetëm 3 pikë të grumbulluara deri tani.



