Sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, ka folur para mediave, në prag të sfidave të muajit qershor që Shqipëria do të luajë me Islandën dhe Izraelin në Ligën e Kombeve si dhe miqësoren me Estoninë.
Në fjalët e tij, Cikalleshi deklaroi se Shqipëria është me fat që nuk do të ketë në grup Rusinë dhe do të tentohet vendi i parë. Sipas lojtarit kuqezi, kundërshtari më i vështirë në grup është Islanda.
Jemi në fund kampionati, por këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne. Të gjithë lojtarët janë të fokusuar dhe të përqendruar në stërvitje. Çdo gjë po shkon sipas planit, shumë mirë. Edhe pse na ndajnë edhe disa ditë kur kemi ndeshjen e parë, uroj që deri në fund mos të kemi dëmtime dhe mungesa dhe deri në fund të kemi grupin e plotë që të bëjmë ndeshjen që duam të gjithë.
Është një grup ku ne do të tentojmë më të mirën, por duhet të kemi parasysh që kemi dy ekipe, që nuk janë me shumë diferencë nga ne. Kemi një fat të vogël që Rusia nuk do të jetë pjesë e grupit dhe do të doja që të përqendrohemi te ndeshja e parë sepse fillimi i mbarë është gjysma e punës. Islanda ka një grup fizikisht shumë të fortë dhe do jetë një duel fizik në Islandë, ku nëse do tentojmë vendin e parë, duhet të dalim me rezultat pozitiv. Por, besoj se jemi gati. Pothuajse edhe në ndeshjet e fundit miqësore treguam që kemi ecur përpara, por na mungon edhe pak. Ajo pak çka mund të jetë ndonjë gabim apo përqendrim në ndonjë moment të caktuar. Duke i korrigjuar këto, besoj se do kemi mundësi t’i bëjmë tifozët tanë krenarë.
Islanda dhe Izraeli janë dy kundërshtarë ndryshe. Islanda është më fizike, kemi pasur ndeshje me ta kohët e fundit. E kemi humbur një dhe kemi fituar këtu. Është një ekip që të vë përpara fizikisht. Do jetë një duel fizik. Izraeli është më teknik si ekip, përqendrohet te loja dhe mbajtja e topit. Janë kundërshtarë të ndryshëm, por ne kemi treguar që i kemi mundësitë. Kanë disa mungesa, por kjo nuk duhet të na bëjë më pak të përqendruar, sepse janë ekip i mirë. Por, ndeshja e parë është më e rëndësishme dhe nëse arrijmë të marrim një rezultat pozitiv, do të tentojmë edhe vendin e parë. Besoj se Islanda është kundërshtar direkt për ne, pa nënvlerësuar edhe Izraelin. Ndeshja e parë thelbësore për ne.



