
Tashmë duke qenë se jemi drejt fundit të sezonit tek Atletico Madridi ka filluar puna për tu përforcuar për vijuesin.
Një ndër repartet ku Diego Simeone pritet të ndërhyjë është ofensiva, e cila faktikisht ka lënë për të dëshiruar.
Fabio Silva i Las Palmasit po e impresionon trainerin argjentinas, kartoni i të cilit është në pronësi të Wolvesit.
Portugezi ka gjetur në 10 raste rrugën e rrjetës në 24 sfidat e deritanishme, një statistikë sigurisht domethënëse për ‘’ El Cholon ‘’.
Ndërkohë, luzitani është i përqëndruar vetëm tek e tashmja me ishullorët, ekip që po lufton për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit spanjoll, në La Liga.

Gjithsesi golashënuesi nuk i ka kursyer disa fjalë në lidhje me interesin e ‘’ Los Colchoneros ‘’:
“ Atletico Madridi është një ekip elite dhe sigurisht do të ishte një privilegj për mua të luaja edhe në Europë. Megjithatë jam i fokusuar totalisht tek Las Palmas dhe besoj se nëse vazhdoj kështu, në të ardhmen e afërt do të vinë mundësitë ‘’, përfundoi sulmuesi.
Sipas ‘ El Desmarque ‘, presidenti Miguel Angel Ramirez është shprehur se do të jetë e vështire që ta evitojnë largimin e Fabio Silvas, për të cilin luftojnë edhe Villareali, Real Betis dhe Eintracht Frankfurt.
Duhet shtuar gjithashtu se vlera aktuale e kartonit i arrin 30 milionë eurot dhe parashikohet që në vijimësi lista e pretendentëve të zgjerohet.



