
Joachim Low prej kohësh është përfolur se mund të marrë drejtimin e Real Madrid, pas largimit të Zinedine Zidane. Megjithatë ka qenë vetë trajneri i Gjermanisë, i cili shkurtimisht për mediat ka thënë se këtë verë nuk do të marrë drejtimin e asnjë skuadre.
“Unë nuk jam kontaktuar nga asnjë klub dhe nuk dua të marr drejtimin e asnjë skuadre këtë verë. Do drejtoj Gjermaninë deri pas Europianit dhe pastaj do bëj pak pushim. Nuk do marr drejtimin e ndonjë skuadre këtë verë dhe nuk ndryshoj mendim për këtë”, u shpreh Low.
Kujtojmë se tekniku 63-vjeçar do të largohet nga drejtimi i Gjermanisë pas Europianit, që do të zhvillohet në verë dhe sipas asaj që ai vetë ka thënë, duket se do të bëjë pushim për një periudhë të shkurtër.



