Ish-trajneri i Shqipërisë, Ganni De Biasi, ka analizuar ndeshjet e deritanishme në Europian. Në emisionin “Euro Zone” në MCN TV, tekniku italian është shprehur se Italia e ka grupin të lehtë. Gjithashtu ai foli edhe për Shqipërinë, ku tha se mund t’ia dalë të kualifikohet në Botëror, ndonëse Polonia dhe Anglia sipas tij janë më lart.
“Fitoi skuadra që e meritoi, sepse është një nga skuadrat më favorite për të marrë trofeun, bashkë me Italinë, Belgjikën dhe Anglinë, nëse këta të fundit nuk bien rrugës. Gjermania është një skuadër e rëndësishme, por unë nuk e konsideroj si skuadrën më të fortë dhe favorite. Unë nuk e shikoj si Gjermania e vitit 2014, kur mposhti Brazilin 7-1. Low ka bërë mirë, por nuk më duken aty ku duhet të jenë.
Italia me Mancinin? Natyrisht diferencën e bëjnë lojtarët. Çdo trajner bën lëvizjet e tij. Italia ka një skuadër të re, përjashto 2-3 lojtarë. Mund të bëjnë mirë, por diferencën mund ta bëjnë lojtarët që kanë bërë mirë me klubet e tyre këtë sezon. Natyrisht nuk do të isha kaq entuziast për Italinë për shkak të kundërshtarit që kishim përballë. Megjithatë fakt është që Itali me një grup të tillë, i ka të gjitha mundësitë për ta kaluar.
Hungaria nuk do shkojë larg, është një fatkeqësi, që 3 skuadra si Gjermania, Portugali dhe Franca, të ngelen në grup. Është grup shumë i vështirë, në krahasim me atë të Italisë.
Edhe në kohën kur Shqipëria u kualifikua në Europian, ishin 3 skuadra më lart, por ia dolëm të kualifikoheshim.
Është një grup i vështirë për Botërorin, Anglia dhe Polonia kanë më shumë shanse për të kaluar. Megjithatë për shkak të lojtarëve që luajnë në kampionate të rëndësishme, Shqipëria mund të bëjë mirë dhe pse jo, të kualifikohet në Botëror.”, u shpreh De Biasi.



