
Klubi i Prishtinës ka bërë një goditje të bujshme, teksa ditën e sotme ka zyrtarizuar firmën me sulmuesin Besart Berisha. Ish-futbollisti i Shqipërisë, pas një karriere të suksesshme, tashmë ka vendosur të provojë një aventurë të re në Kosovë.
36-vjeçari do të jetë pjesë e Prishtinës, me këta të fundit që bëjnë ndoshta afrimin më të rëndësishëm në futbollin kosovar. Berisha me një karrierë të pasur në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, Angli, Japoni dhe Australi, tashmë do të provojë të lërë shenjë edhe në kampionatin kosovar, ashtu siç ka bërë në çdo vend ku është transferuar.
“Ëmbëlsira sa i përket afatit kalimtar është lënë për fund, Besart Berisha zbarkon te Prishtina. Sulmuesi me përvojë të madhe, Besart Berisha, është përforcimi më i ri i skuadrës sonë. Pas një karriere mbresëlënëse në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, Angli, Australi e Japoni, me Kombëtaren e Shqipërisë dhe Kosovën, futbollisti me prejardhje nga qyteti i Prishtinës ka vendosur t’i bashkohet skuadrës “bardhekaltër” për ta shkrirë gjithë potencialin dhe përvojën e fituar në futbollin botëror për ekipin tonë”, shkruan Prishtina.



