
Pas 100 ditësh në krye të Chelseat , Todd Boehly vijon të mendojë për pasurimin e organikës .
Largimi i parakohshëm i Thomas Tuchelit e ka ndryshuar situatën tek ‘’ Blutë e Londrës ‘’ të cilët po shqyrtojnë një sërë emrash për stolin.
Sipas ‘ Sky Sports ‘’ lista kryesohet nga Graham Potter i Brightonit. 47 vjeçari është shprehur i gatshëm për të drejtuar Chelsean por nëse ky operacion nuk do të rezultojë i suksesshëm po mendohet edhe për Zinedine Zidane dhe Mauricio Pochettinon.
‘’ Zizou ‘’ është në pritje të një projekti ideal për të vijuar rrugëtimin në pankinë pasi i dha fund etapës së dytë në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’.
Ish kampioni i botës me ‘’ Trikolorët ‘’ është vonuar disi në zgjedhjen e një destinacioni për arsye se aspiratat lidhen me drejtimin e Francës.
Ndërsa argjentinasi kërkon të fillojë një tjetër eksperience pasi iu desh të largohej nga parizienët përpara startit të sezonit aktual .
Por nuk mbetet me kaq sepse vijojnë të analizohen edhe Roger Schmidt i Benfikës , Brendan Rodgers , Marcelo Bielsa dhe gjithashtu ish mesfushori Frank Lampard , njëkohësisht një legjendë e Chelseat.
Transferimi i një traineri të ri është prioritet absolut për këtë skuadër , e cila nuk e filloi me këmbën e mbarë Champions Leaguen duke u mundur në fushën e Dinamo Zagrebit , humbje që ia hapi derën e largimit Thomas Tuchelit.



