Shkencëtarë dhe ekspertë ndërkombëtarë të klimës, shëndetit dhe performancës sportive kanë paralajmëruar FIFA-n se masat aktuale për mbrojtjen nga temperaturat ekstreme gjatë Kupës së Botës 2026 janë të pamjaftueshme dhe mund të rrezikojnë seriozisht shëndetin e lojtarëve.
Në një letër të hapur të nënshkruar nga 20 ekspertë nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Europa, thuhet se udhëzimet aktuale të FIFA-s nuk përputhen me standardet më të fundit shkencore dhe “janë të pajustifikueshme”. Ata kërkojnë që organizata të vendosë masa më të forta sigurie për ndeshjet që do të zhvillohen në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat në 14 nga 16 stadiumet pritëse mund të arrijnë nivele të rrezikshme, ndërsa në disa zona të SHBA-së jugore dhe Meksikës veriore temperaturat mund të afrohen me 40 gradë Celsius gjatë verës.
Sipas tyre, kombinimi i temperaturës së lartë, lagështisë dhe rrezatimit diellor rrit ndjeshëm rrezikun e stresit termik për futbollistët. Ata i kërkojnë FIFA-s që ndeshjet të shtyhen ose të anulohen kur indeksi i nxehtësisë kalon pragun 28°C WBGT, si dhe të zgjaten pushimet për hidratim në të paktën gjashtë minuta.
Aktualisht, FIFA parashikon vetëm pushime tre-minutëshe për freskim gjatë çdo pjese të lojës dhe monitorim të kushteve klimatike në kohë reale.
Andrew Simms nga Instituti “New Weather” deklaroi se FIFA po “luan në mënyrë të pamatur me shëndetin e lojtarëve”, ndërsa profesori Douglas Casa nga Universiteti i Connecticut theksoi se protokollet aktuale janë larg standardeve optimale të sigurisë.
Nga ana tjetër, FIFA tha se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e lojtarëve, tifozëve dhe stafit, duke shtuar se oraret e ndeshjeve janë planifikuar duke marrë parasysh kushtet klimatike dhe se do të zbatohen masa shtesë në rast temperaturash ekstreme.



