
Egnatia do të përballet në kampionat me Vllazninë në fundjavë, në një sfidë ku do të kërkohet fitorja.
Në lidhje me këtë, në emisionin “SportZone” në MCN TV, foli trajneri i ekipit U-21 te rrogozhinasit, Ndriçim Shtubina.
Sipas këtij të fundit, ndeshja do të jetë e vështirë dhe jo si ajo e fazës së parë, ku Egnatia fitoi pa shumë vështirësi.
Duhet të japësh maksimumin për të marrë fitoren në një kampionat si ai shqiptar. Me Laçin ishte një 3 pikësh i artë. Me një fitore skuadra ngjitet në renditje dhe me një humbje bien poshtë. Dua më të mirën për këtë skuadër, sepse kam punuar edhe unë për këtë ekip. Meritë apo dështim, do të jem edhe unë pjesë e kësaj skuadre.
Dwamena ishte mungesë e rëndësishme për ekipin. Është një lojtar i cilësor ku skuadra mbështetet. Është një armë plus për ndeshjen me Vllaznisë, pasi na ndihmon shumë. Duhet përqendrim ndaj Vllaznisë, sepse nuk do jetë si ndeshja e fazës së parë. Duhet djersitur shumë për të marrë fitoren.
Kur pëson gol, akuzat janë ndaj portierit dhe mbrojtjes, por nuk është kështu. Kur luajmë në shtëpi, skuadra luan futboll dhe hapur, ky është problemi. Shpesh herë lojtarët dalin nga detyrat e tyre.



