Trajneri Mirel Josa pasi u zyrtarizua në stolin e Vllaznisë, ditën e sotme ka dalë para mediave, ku është bërë edhe prezantimi.
Tekniku kryeqytetas, është shprehur se objektiv është kualifikimi në Europë, ndërsa shtoi se skuadra do tentojë të fitojë Kupën.
Më tej Josa deklaroi se i dukej e çuditshme të merrte drejtimin e kuqebluve tre javë para fundit, por shtoi se ka një projekt për sezonin e ardhshëm.
Më duket vetja se kam ikur shumë pak para nga Shkodra. Ju njoh të gjithëve. Është shumë pozitive për mua, duke e krahasuar me herën e parë që kam ardhur në Shkodër. Kam ardhur me ndrojtje në 2006-shën, por kam ndjerë një farë ngrohtësie nga ambienti shkodran. Më është dukur pak e çuditshme rikthimi, sepse edhe 3 ndeshje mbaron kampionati dhe mu duk e çuditshme të merrja ekipin tani. Por, kur bëhen ndryshimet, bëhen për të rikuperuar problemet e mbartura. Erdha me dëshirë të madhe këtu. Me presidentin ishim të dy në një linjë për vitin e ardhshëm, por edhe për këto 3 ndeshje. Për mua kjo epokë s’ka përfunduar ende. Ne na intereson të rrisim një entuziazëm të madh në skuadër. E kam parë Vllazninë. Është një skuadër që më ka pëlqyer, por secili ka synimet e veta. Si ta bëj këtë skuadër që të marrim rezultatet e duhura.
Nuk ka gjëra për të ndryshuar te Vllaznia. Mua më duhet që skuadra të jetë kompakte. Do ta shihni më vonë, qoftë në rezultate. Puna jonë varet nga rezultatet. Më pëlqeu sinqeriteti dhe jo vetëm Xhaferi, por edhe kur kam shkuar me presidentët tjerë, ka pasur problem sinqeriteti. Të gjitha gjërat besoj unë do të shkojnë mirë. Objektivi ynë është kapja e Europës dhe të vazhdojmë për sezonin e ardhshëm.
Finalja e Kupës? Në futboll s’ka parashikime, por duhet të keni parasysh që dy herë jam ndeshur me Vllazninë kur isha me Laçin. Laçi ka një skuadër të fortë. Ne do ta bëjmë veten tonë më të fortë sepse është një ndeshje. Para ndeshjes finale të Kupës do të kemi një takim me lojtarët. Nëse një skuadër, të gjitha këto faktorë vijnë me emërues të përbashkët, emëruesi i përbashkët është arritja e objektivave. Presidenti ka 50 përqind. Të bëjmë të gjithë punën tonë, rezultatet tona do të vijnë.
Largimi i Brdaric nuk është problemi im. Që të largohet një trajner nga skuadra, nuk është vetëm faktori rezultat që mund të largohet një trajner. Varet se ç’ndodh brenda për brenda. Epoka, qoftë e shkurtër, qoftë e gjatë përfundon. Puna është mos të jenë të mërzitshme punët tona me njëri-tjetrin. Ne kemi parë trajnerë që ndërrohen në gjithë botën. Vetëm se atje ka sanksione.



