
Partizani u rikthye te fitorja, pasi mposhti Flamurtarin me rezultatin 3-1, në një sfidë mjaft interesante, që prodhoi edhe polemika të shumta, veçanërisht mbi vendimet e arbitrit, që në jo pak raste ishin të kontestueshme.
Në një duel tepër të tensionuar djemtë e drejtuar nga Skënder Gega arritën të gjenin 3 pikëshin e radhës. Jurgen Bardhi zhbllokoi takimin pas 11 minutash lojë, teksa devijoi saktë drejt rrjetës një top të Asanit.
Reagimi i vlonjatëve erdhi vetëm pesë minuta para fundit të pjesës së parë, me autor Ribaj. Megjithatë, ishte pikërisht 29 vjeçari që i tradhëtuar nga nervat doli me karton të kuq nga fusha e blertë, duke lënë në inferioritet numerik skuadrën kuqezi. Inferioritet që u shfrytëzua më së miri nga Partizani, që realizoi edhe dy herë të tjera me anë të Rubin Hebaj, me shkodranin që i dha fitoren me shifrat 3-1 të kuqve.
Kjo ishte fitorja e 15-të për kryeqytetasit, që numërojnë 49 pikë pas 23 javësh kampionat. Një fitore edhe morali kjo për të kuqtë, që shkojnë me marshin e duhur në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, i programuar për tu luajtur të premten e ardhshme. Ndërkohë, me këtë humbje Flamurtari vijon të thellojë krizën, ku mban vendin 6-të me 33 pikë.



