
Tifozët e Lazios vazhdojnë të mos i ndalin kërcënimet. Pas ngjarjeve me Elseid Hysajn në fillim, tashmë ata kanë nisur me kërcënime ndaj familjes së drejtorit sportiv, Igli Tare. Ka qenë djali i këtij të fundit, Etienne Tare, i cili në profilin e tij ka postuar kërcënimet e marra për veten dhe babain e tij.
Etienne, i cili është edhe lojtar i Lazios, ka postuar mesazhet e rënda të një tifozi, i cili e kërcënon dhe nuk i kursen as fyerjet e rënda.
“Duhet të vdesësh ti dhe babi yt. Copa m***. Ju jeni kanceri i Lazios. Na e shpifni, ti dhe babai yt. Nëse nuk e merrni as Zaccagni, flini me një sy hapur se ndonjë lacial do ju godasë.”, thuhej në mesazhet e tifozit.
Etienne Tare i është përgjigjur kërcënimeve, duke thënë se respekton çdo lloj kritike, por shton se këtë herë është kaluar caku.
“Jam lacial që kur jam fëmijë, festoj çdo herë që fiton Lazio, dëshpërohem kur humbasim. I vesh këto ngjyra me krenari dhe ndjenjën e përkatësisë. Respektoj çdo lloj kritike, pasi liria e fjalës dhe e shprehjes janë gjërat më të bukura që ekzistojnë. Por mendoj se këtë herë është kaluar caku. Më vjen keq që lexoj disa fjalë, mund të mos jesh dakord me disa zgjedhje, por nuk duhet të mungojë respekti, KURRË. Ndaj meje, babait tim dhe familjes time”.



