
FIFA ka njoftuar sanksionet e marra ndaj Rusisë, pasi kjo e fundit ka filluar sulmet ushtarake ndaj Ukrainës. Në një njoftim të bërë nga institucioni më i lartë i futbollit, bëhen të ditura disa nga dënimet në drejtim të Rusisë.
Në deklaratën e FIFA-s, thuhet se asnjë ndeshje nuk do të luhet në territorin rus dhe ndeshjet si vendase Rusia duhet t’i luajë në stadium neutral. Gjithashtu sipas FIFA, nga sot e tutje, kombëtarja nuk do të quhet Rusia, por do të quhet “Unioni i Futbollit të Rusisë”. Asnjë flamur apo himn kombëtar i Rusisë nuk do të përdoret në ndeshjet ku skuadrat nga Unioni i Futbollit të Rusisë marrin pjesë.
FIFA bën me dije se do të diskutohet edhe për përjashtimin e Rusisë nga aktiviteti, nëse sulmet ndaj Ukrainës do të vazhdojnë.
“Asnjë aktivitet ndërkombëtar nuk do të zhvillohet në territorin e Rusisë, me ndeshjet si vendas që do të luhen në një fushë asnjanëse dhe pa spektatorë.
Anëtari i federatës që përfaqëson Rusinë do të marrë pjesë në çdo kompeticion nën emrin “Unioni i Futbollit të Rusisë” dhe jo Rusia.
Asnjë flamur apo himn kombëtar i Rusisë nuk do të përdoret në ndeshjet ku skuadrat nga Unioni i Futbollit të Rusisë marrin pjesë. Do të vazhdojmë dialogun me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, UEFA dhe organizatat e tjera sportive për të përcaktuar masa dhe sanksione të tjera, përfshirë edhe një përjashtim të mundshëm nga aktivitetet, që do të aplikohet në të ardhmen nëse situata nuk përmirësohet shpejt. Byroja e Këshillit të FIFA-s është në gatishmëri për të marrë secilën nga këto masa”, thuhet në vendim.



