
Partizani vazhdon të mos njohë fitore në kampionat për këtë sezon, teksa ditën e sotme nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 ndaj Egnatias në ndeshjen e zhvilluar në “Air Albania”, të vlefshme për javën e 7-të.
Ndeshja nisi menjëherë keq për të kuqtë, të cilët u ndëshkuan që në minutën e 6-të. Braziliani Laurentino Jackson, lëshon një gjuajtje nga jashtë zone, aty ku portieri Alban Hoxha, shfaqet i pasigurt dhe topi i kalon poshtë duarve, duke u ndalur në fundin e rrjetës.
Pas kësaj, të kuqtë mundohen të reagojnë dhe goli i barazimit do të vinte në minutën e 47-të, kur Tedi Cara, pas një topi të marrë nga Albion Marku në zonë, nuk e ka të vështirë ta dërgojë në rrjetë.
Në të dytën, janë përsëri kryeqytetasit që shfaqen më kërkues, madje në minutën e 62-të, i shkojnë shumë afër golit të përmbysjes, por portieri Puja bën të pabesueshmen, duke i ndalur gjuajtjen me kokë Filipovicit. 10 minuta me vonë, është Egnatia që shfaqet rrezikshëm, me Allmuçën që tenton një krosim nga e majta, por topi shkon drejt portës dhe ndalet në traversë.
Pas kësaj, rastet e pastra munguan dhe ndeshja u mbyll në barazim 1-1. Kjo është ndeshja e 7-të radhazi në kampionat, që Partizani nuk njeh ende fitore dhe e sheh veten në vendin e tetë të renditjes me 5 pikë, ndërsa Egnatia ngjitet në vendin e pestë me 9 pikë.
Në barazim 1-1 është mbyllur edhe sfida tjetër mes Teutës dhe Kastriotit, e zhvilluar në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Skuadra krutane e drejtuar nga Ramazan Ndreu, ia doli të ndalë kampionët, në një ndeshje ku gjithashtu i shkuan shumë afër edhe fitores.
Durrsakët kaluan të parët në avantazh me Ildi Grudën në minutën e 51-të, por Kastrioti barazoi shifrat në minutën e 81-të, me Mudrazijan. Vetëm 1 minutë më vonë, krutanët i shkuan shumë afër golit të përmbysjes, por Qirko bëri heroin në dy raste, duke pritur gjuajtjet e Mudraziajs dhe Celës. Pikërisht ky i fundit në minutën e 84-t, kishte një rast të artë, por i vetëm me portierin kundërshtar, gjuajti jashtë katërkëndëshit të portës.
Me këtë barazim, Teuta mbetet në vendin e tretë me 12 pikë, ndërsa Kastrioti renditet i parafundit me 5 pikë.



