
Mbrojtësi i Shqipërisë, Elseid Hysaj, ka reaguar për herë të parë, pas kritikave të shumta të marra, në lidhje me golin e dytë të pësuar ndaj Italisë.
Hysaj i kërkon ndjesë tifozëve, për atë që e quan si gabim teknik dhe instiktiv. Lojtari shkruan se fokusi tani është te ndeshja e radhës me Kroacinë.

Reagimi i Hysajt:
Pas ndeshjes me Italinë dhe evenimenteve të fundit, ndjej t’u kërkojë ndjesë të gjithë tifozëve shqiptarë për gabimin teknik dhe instiktiv, që shkaktoi edhe golin e dytë që pësuam.
Është e kotë të specifikoj që ishte pikërisht gabim loje dhe vlerësim i rremë i trajektores. Kush më njeh, e di mirë se do jepja çdo forcë që kam e do bëja çdo sakrificë për këtë bluzë, siç kam bërë gjithmonë. Më vjen keq për instrumentalizimin e gabimit në mënyrë të pavend nga shumë persona, përtej vlerësimit teknik.
Nga ana tjetër falënderoj përzemërsisht të gjithë tifozët e panumërt që më kanë dërguar mesazhe konfortimi në forma të ndryshme. I pranoj me vetëdije dhe keqardhje kritikat e tifozëve anembanë, të cilët pa përjashtim i mbaj në zemër. Tani të koncentrohemi te ndeshjet e ardhshme dhe Forca Shqipëri gjithmonë.



