
Trajneri Ardi Behari, analizoi në emisionin “Skaner” në MCN TV, ndeshjen e Egnatias ndaj Teutës.
Behari deklaroi se nuk e kishte parë ndonjëherë skuadrën rrogozhinase me këtë skemë, ndërsa shtoi se po eksperimentojnë edhe me lojën.
Egnatias i japin të drejtë rezultatet, që Tetova të thotë se ka lojtarët më të mirë në Shqipëri. Skuadrën e bëjnë lojtarët. Sa më shumë lojtarë të mirë të kesh, përkthehet në rezultate. Edhe në fazën e parë kishte lojtarë të mirë, por edhe tani. Tetova me deklaratën do të ngrejë skuadrën e tij.
Unë nuk e kisha parë ndonjëherë Egnatian, të luante me këtë skemën që filloi ndeshjen ndaj Teutës. Të gjithë lojtarët ndërronin pozicion dhe shpreheshin atje ku i kapte loja. Teuta e kishte ndërtuar lojën ashtu, që ndoshta të përfitonin nga ndonjë kundërsulm.
Martini në një sistem të zakonshëm të Egnatias 4-3-3, do zgjidhte një 4-2-3-1, që të luanin në një kundër një. Megjithatë u gjet i befasuar nga ndryshimi i Egnatias. Kishte një periudhë përshtatje. Në këtë ndeshje konstatova, që Egnatia eksperimenton edhe me mënyrat e lojës. E pashë portierin Sherri që bënte rolin në vijën e mbrojtjes.



