Futbollisti me orogjinë shqiptare Valon Berhami i ka dhënë fund karrierës së tij me kombëtaren e futbollit të Zvicrës. Ka qenë vetë lojtari i cili e ka bërë publik në fillim këtë lajm nëpërmjet një postimi në Instagram ku shkruan: "Karriera ime ndërkombëtare ka përfunduar. Kapitull i mbyllur".
Ndërkohë një ditë pas këtij lajmi, Berhami ka dhënë një intervistë për “RSI Sport”. Ai deklaroi se kishte folur me trajnerin Vladimir Petkoviç, i cili e ka përjashtuar nga kombëtarja me një telefonatë. Ky, sipas Behramit, është një vendim politik, ndonëse tekniku e informoi se vendimi ishte vetëm sportiv.
“Dua të them, ishte një telefonatë njerëzore. Por në atë telefonatë, ai dëshironte të më tregonte derën e Kombëtares. Një muaj pas humbjes në Kupën e Botës në Rusi, kishte dinamika të cilat nuk më pëlqenin", ka deklaruar Berhami për RSI Sport.
Berhami është shprehur se është zhgënjyer nga vendimi i trajnerit dhe nuk e mohon se shkak për këtë është bërë festimi i dy lojtarëve të tjerë të skuadrës së Zvicrës me origjinë shqiptare me simbolin e shqiponjës.
"Gjithmonë kisha menduar se do të largohesha më shpejt. Por, këtë vit më dukej sikur isha integruar plotësisht brenda skuadrës dhe ndjehesha si lider. Dhe tani më kanë lënë prapa derës. Trajneri mund të thotë çfarë të dojë. Është një vendim politik. Unë gjithmonë e kam mbrojtur veten kundër njerëzve që nuk e kuptojnë se çfarë është futbolli. Ju nuk keni luajtur asnjëherë futboll! Ky është problem i madh në federatën e Zvicrës. Ata gjithmonë tentojnë të ruajnë pozitat e tyre, por nuk e kanë asnjë ide se si ndjehen lojtarët. Njerëzit thonë se ne kurrë nuk dhamë maksimumin. Kjo më lëndon. Por e di, kështu është. Në të njëjtën kohë, e gjitha kjo nuk është problem shumë i madh për mua. Tani kam më shumë kohë për vajzat dhe gruan time", shprehet ai.
Largimi i Berhamit nga kombëtarja e futbollit të Zvicrës ka qenë në qendër të vëmendjes së medieve vendase. Atyo kanë reaguar kryesisht në krah të futbollistit me origjinë shqiptare.
“Federata Zvicerane e humbi kontrollin”, thekson Noje Zyrher Xaitung. “Ajo dhe trajneri treguan mungesë respekti ndaj një futbollisti që ka dhënë shumë për skuadrën”.
“Re të zeza kanë rënë mbi kombëtaren”, shkruante “Argauer Xaitung”.
Ndërsa “Tages Anxaiger” shkruan se largimi i Behramit nga kombëtarja është vetëm zhurma e fundit e ngritur rreth skuadrës. Situata do të mbetet e nderë pasi çështja e lojtarëve me 2 pasaporta është ende shumë e hapur. Ndërsa “Tagblat” publikon një letër të hapur drejtuar valon Behramit ku e falenderon për kontributin e madh që ai ka dhënë, ndërkohë që shfaqi edhe befasinë për mënyrën sesi e menaxhoi këtë situatë Federata Zvicerane e futbollit për ta mbyllur letrën me frazën: Do ta ndjejmë mungesën tënde.
Valon Behrami mori mbështetje edhe nga Granit Xhaka. “Valon, ajo që mund të them është shumë Faleminderit. Je një ikonë e vërtetë e kombëtares zvicerane. Krijuam kujtime në fushë, u bëmë miq përjetë”, shkruante Granit Xhaka në Instagram.



