Partizani ka humbur një tjetër shans për të kapur kreun e Superligës pasi të kuqtë kanë barazuar pa gola kundër Teutës. Në ‘Elbasan Arena’ i vetmi detaj për t’u veçuar ishte një gol i anuluar në favor të të kuqve për pozicion jashtë loje. Me këtë barazim si Partizani ashtu edhe Teuta ndajnë vendin e tretë me 43 pikë, 2 më pak se Vllaznia kryesuese.
Kjo e fundit sot u rikthye të jetë e para e Superligës si pasojë e fitores 0-1 kundër Kastriotit. Në Kamzë vendosi goli i kapitenit Erdenis Gurishta në minutën e 90.
Ndërkohë Laçi, që ishte në vendin e parë para ndeshjes me Tiranën, është mposhtur 1-2 nga bardheblutë. Një fitore kjo për skuadrën e Shehit që e mban në garën për titull, pasi aktualisht Tirana është shtatë pikë larg Vllaznisë kryesuese 11 javë nga fundi i kampionatit.
Sakaq në ndeshjet e tjera Kukësi befasoi sërish pasi u mund 2-1 nga Bylisi, ndërsa Skënderbeu la vendin e fundit pasi fitoi 1-2 përballjen e mbijetesës me Apoloninë.



