Zgjidhja për krizën në futboll që është në bojkot prej 5 gushtit mund të vijë shumë shpejt. Kjo për shkak se sot në Ministrinë e Financave përfaqësuesi i qeverisë Fidel Ylli ka pritur në një takim përfaqësuesit e Ligës Profesioniste, të cilët duket se janë ‘zbutur’.
Jo më kot në përfundim të këtij takimi presidenti i Ligës Profesioniste Edvin Libohova tha se të hënën do mbledhë presidentët e Superligës për të diskutuar për bojkotin. Ndërkohë që të martën do të ketë një takim sërish me Fidel Yllin.
“E rëndësishme është që u ulëm në tavolinë dhe folëm për kërkesat tona.
Unë e kam thënë që e ndajmë problemin në dy pjesë: Nga 4 kërkesat që kemi, 3 janë më specifike dhe më të diskutueshme. “Thembra e Akilit” është Ligji i Sponsorizimit.
Ne kemi bërë një propozim, ndërkohë Ministria e Financave, së bashku me ekspertët po punon për të bërë një kundër-propozim tjetër dhe për një zgjidhje, diçka që nuk mund t’ia u them dot sot. Është lënë takimi tjetër ditën e martë, për të diskutuar variantet dhe do të vazhdojmë deri sa të gjejmë zgjidhjen.
Me presidentët e klubeve unë do të kem një takim ditën e hënë, për t’i informuar dhe për të vendosur për bojkotin ose fillimin e garës. Qeveria sigurisht, ka thënë nëpërmjet deklaratave se gjithçka mund të diskutohet.
Prandaj, ne do bëjmë prapë takim ditën e martë, për të dalë në një qëndrim, i cili duhet të jetë brenda kuadrit ligjor dhe kërkesave tona. Në këtë takim kishte vetëm përfaqësim nga Liga, isha unë bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm,”-u shpreh Libohova.



