
Federata Shqiptare e Futbollit, ka njoftuar këtë të enjte, se ish-lojtari Shefki Kuqi, është paditur në Gjykatën e Prishtinës për shpifje.
Shkak për këtë, është bërë një deklaratë e Kuqit pak muaj më parë, ku deklaratë se i ishin kërkuar para për të luajtur me Kombëtaren shqiptare.
“Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë hapat ligjor duke paditur për shpifje ish-futbollistin Shefki Kuqi, i cili në një deklaratë publike në televizionin T7, gjatë emisionit “Favoriti i Botërorit” ka deklaruar se në fundvitet 90’ i janë kërkuar para për tu pajisur me pashaportë shqiptare dhe përfaqësuar Kombëtaren shqiptare. Padia e FSHF ndaj Shefki Kuqi është pranuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe është regjistruar me numër C.nr. 119/22.”, thuhet në njoftimin e FSHF.
Deklarata e Shefki Kuqit më 7 dhjetor 2022:
Të gjithë e dinë që unë nuk e kam pasur mundësinë që të luaj për Kombëtaren shqiptare. Kam dëgjuar plot debate dhe tifozët që kanë thënë jo tradhtari, jo kështu po ashtu. Dëshira ime para se të zgjidhja Finlandën, edhe kam tentuar, ka qenë të shkoja në Kombëtaren e Shqipërisë. Atëherë duhej të jepje lek për të luajtur në kombëtaren e tyre. Lekë me çanta. Për atë moment që je në fushë, je brenda vijave të bardha, nuk shikohet për kë po luan, e ke punën dhe detyrën tënde, je ti ai që ke vendosur dhe kjo nuk ka krahasim.
Lekët mi ka kërkuar Federata. Mos gaboj më kanë kërkuar 100-200 mijë euro. Më thanë që do të më ofronin edhe pasaportën. Nuk e kam pranuar, nuk ka qenë e arsyeshme për mua. Unë jam kosovar, nuk kam lindur në Shqipëri dhe ta shikoja në atë kënd.
Me Federatën e Shqipërisë tani nuk kam asnjë kontakt, por kam dëgjuar dhe raste të tjera që kërkojnë para. Unë i përkrah lojtarët maksimalisht, pavarësisht kombëtares që vendosin të luajnë. E njëjta situatë është dhe me Kosovën. Shumica po lindin jashtë dhe kanë shumë pak qasje me Kosovën. Duhet që puna të kryhet akoma pa mbushur lojtari 18-20 vjeç.



