
Mbrëmjen e sotme do të mbahet ceremonia për dhënien e çmimit më të rëndësishëm në aspektin individual për një futbollist, siç është “Topi i Artë”.
Pas një viti mungesë për shkak të pandemisë, sot do të mësohet fituesi i edicionit të 65-të të çmimit prestigjioz. Ceremonia e organizuar nga “France Football”, do të startojë nga ora 20:30, me atë të Shqipërisë.
Në garë për të fituar trofeun individual, janë plot 30 futbollistë, të cilët kanë spikatur këtë vit. Favoriti nga sondazhet e bëra, shihet ylli argjentinas, Leo Messi. Ky i fundit e ka fituar 6 herë këtë trofe dhe tashmë shkon për të shtatin.
Rivali i Messit për trofeun është Robert Lewandowski, i cili gjithashtu ka bërë shumë mirë. Polaku shihej si favoriti absolut vitin e kaluar për ta fituar “Topin e Artë”, por gjithçka u anulua për shkak të pandemisë.



