
Agjenti i Timoue Bakayoko, Andy Bara, i ka dërguar mesazh Milanin, duke thënë se nëse do i jepet mundësia, do të bëjnë gjithçka për ta transferuar atë te kuqezinjtë. Në një intervistë të dhënë për “Calciomercato”, Bara ka thënë se ekziston mundësia që lojtari të largohet nga Chelsea, por këtë herë jo në huazim.
“Milani është një ekip i shkëlqyer dhe nëse do të na jepet mundësia, do bëjmë gjithçka që është e mundur për ta rikthyer.
Për momentin Timoue është një lojtar i Chelsea, por ekziston mundësia që të ndryshojë fanellë dhe të shkojë në një ekip italian. Maldini dhe Massara e njohin atë dhe e dinë se çfarë është në gjendje të bëjë ai. Unë nuk mendoj se ai do të largohet diku në huazim, siç ndodhi te Napoli, kontrata nuk e lejon këtë.”, tha Bara.
Kujtojmë se Bakayoko ka qenë pjesë e Milanit edhe në sezonin 2019-2020, ku tregoi paraqitje shumë të mira, por pavarësisht kësaj, drejtuesit nuk e blenë kartonin e mesfushorit.



